Bugatti prezanton “Brouillard”, një vepër unike artizanale që nderon kalin e themeluesit
B

Bugatti prezanton “Brouillard”, një vepër unike artizanale që nderon kalin e themeluesit

“Brouillard”, që në frëngjisht do të thotë “mjegull”, ishte emri i kalit të dashur të Ettore Bugatti-t. Tani ky emër është ringjallur për një makinë unike, e para që del nga “Programme Solitaire” – divizioni i brendshëm i Bugatti-t për krijime të personalizuara me karroceri të veçantë.

Makina është një kombinim i guximshëm jeshile mbi jeshile, një zgjedhje që del nga kornizat tipike të vitit 2025 dhe që i jep një elegancë të pazakontë modelit. Detajet janë të mrekullueshme: figura të kalit të Brouillard-it shfaqen në dyer, sedilje dhe në levën e marsheve, shkruan TheDriver, transmeton AutoPortali.

Leva e marsheve është veçanërisht mbresëlënëse – e punuar nga një bllok i vetëm alumini dhe e mbuluar me qelq, brenda të cilit ndodhet një skulpturë miniaturë e kalit, e bërë me dorë.

Nën kapak fshihet një motor W16 me fuqi katërshifrore, por në këtë rast, shpejtësia është dytësore. Me shumë gjasa, kjo makinë unike do të kalojë jetën në një garazh luksoz, më shumë si vepër arti sesa mjet udhëtimi.

“Brouillard” do të debutojë publikisht në Javën e Makinave në Monterey këtë muaj, por për ata që nuk mund ta shohin nga afër, Bugatti ka ndarë edhe një galeri me imazhe.

TË FUNDIT