Rastet kur yjet e futbollit përballen me ligjin për shkak të evazionit fiskal nuk janë të rralla dhe së fundi diçka e tillë është aktuale në Spanjë.
Pas Cristiano Ronaldos e Lionel Messit, tani edhe Carlo Ancelotti do të përballet me akuza të ngjashme. Prokurorët e shtetit spanjoll kanë akuzuar trajnerin e Realit për evazion fiskal gjatë periudhës 2014/15 kur ishte në krye të ekipit madrilen. Prokurorët të mërkurën thanë se tekniku po akuzohet për dy llogari, për dy çështje, ku nëse vërtetohet se është fajtor mund të dënohet me 4 vjet dhe 9 muaj burg.
Dyshohet se tekniku italian ka fshehur afro 1 milionë euro gjatë kësaj periudhë. Prokurorët pretendojnë se italiani ka deklaruar vetëm të ardhurat që ka marrë nga Real Madrid dhe nuk ka deklaruar të ardhura nga të drejtat e imazhit.