Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s ka sjellë në Tiranë drejtuesit më të lartë të futbollit europian.
Pasditen e kësaj të mërkure, në aeroportin e Rinasit mbërriti edhe Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, i cili u prit nga Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka.
“Sot pata kënaqësinë të pres në Tiranë mikun tim, Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, i cili mbërriti në Tiranë me rastin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Një moment historik për futbollin shqiptar dhe një tjetër dëshmi e vlerësimit të UEFA-s ndaj vendit tonë. Mirë se erdhe në Tiranë, z. Çeferin!” – shkruan Presidenti Duka në statusin e shpërndarë në rrjetet e tij sociale.
Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të zhvillohet nesër, duke nisur nga ora 14:00 deri në 17:00.
Përpara kësaj mbledhjeje, Presidenti Çeferin, Presidenti Duka dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv, së bashku me përfaqësues të federatave europiane, do të marrin pjesë në festivalin e futbollit për fëmijë që do të organizohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.