Chelsea ka triumfuar bindshëm me rezultat 3-0 ndaj Paris Saint-Germainit në finalen e Kupës së Botës për Klube, duke dhënë një paraqitje mbresëlënëse kundër kampionëve të Evropës.
Skuadra e drejtuar nga Enzo Maresca e nisi takimin me vendosmëri, duke kaluar në epërsi në minutën e 22-të me një gol të bukur nga Cole Palmer. Vetëm tetë minuta më vonë, i njëjti futbollist realizoi edhe golin e dytë, duke e vendosur Chelsean në kontroll të plotë të lojës.
Pavarësisht avantazhit, londinezët nuk u tërhoqën. Pas disa tentimeve, ata gjetën edhe golin e tretë, ku Palmer spikati si asistues. Ai dhuroi një pasim preciz për Joao Pedron, i cili me qetësi mposhti Donnarumman për 3-0.
Në pjesën e dytë, PSG-ja u përpoq të rikthehej në lojë, por nuk arriti të krijojë rrezik serioz. Chelsea menaxhoi me maturi epërsinë dhe e mbylli ndeshjen me një fitore të madhe.




