Chevrolet tërheq mbi 25,000 njësi të Corvette Z06 dhe ZR1 për shkak të rrezikut
C

Chevrolet tërheq mbi 25,000 njësi të Corvette Z06 dhe ZR1 për shkak të rrezikut

Chevrolet ka nisur një fushatë tërheqjeje për modelet Corvette Z06 dhe ZR1, për shkak të një defekti potencialisht të rrezikshëm që lidhet me rrjedhjen e karburantit gjatë furnizimit. Sipas dokumenteve të Administratës Kombëtare të Sigurisë në Trafikun Rrugor (NHTSA), problemi prek të gjitha modelet Corvette Z06 nga viti 2023 deri në 2025 dhe ZR1 nga viti 2025 deri në 2026.

Defekti lidhet me derdhjen e karburantit të tepërt gjatë furnizimit, i cili mund të rrjedhë në radiatorin e majtë dhe të shkaktojë zjarr. General Motors (GM) e konfirmoi tërheqjen, duke theksuar se ky është një rast i rrallë, i ndikuar edhe nga mosfunksionimi i pompave të karburantit në disa stacione. “Siguria e klientëve tanë është prioritet i lartë dhe po punojmë për zgjidhjen e këtij problemi sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e GM për Road & Track.

Për shkak të rrezikut të mundshëm, GM ka pezulluar shitjet e modeleve Corvette Z06 dhe ZR1 derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare. Sipas planeve fillestare, GM synon të instalojë një mburojë mbrojtëse që devijon karburantin larg pjesëve që mund të shkaktojnë ndezje.

Deri më tani, rreth 25,500 njësi Corvette janë përfshirë në këtë tërheqje, përfshirë mbi 16,000 Z06 të prodhuara në vitet 2023 dhe 2024 dhe rreth 9,200 njësi të parashikuara për vitet 2025 dhe 2026. Ndërkohë, ZR1X, i cili ende nuk ka hyrë në prodhim, nuk ndikohet.

Problemi është specifik për këto dy versione të Corvette, për shkak të montimit të veçantë të radiatorit në anën e majtë të automjetit, që nuk është i pranishëm në versionet e tjera të linjës. NHTSA pritet të publikojë zyrtarisht tërheqjen pas shqyrtimit të plotë të dokumentacionit nga GM.

TË FUNDIT