Çmimi i Madh i Singaporit është një nga garat më ekstreme në Formula 1, ku pilotët dhe makinat përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira. Që nga debutimi në 2008 (me përjashtim të viteve të pandemisë), kjo garë është kthyer në një provë të vërtetë të qëndrueshmërisë fizike dhe mendore.
Edhe pse zhvillohet natën, temperaturat rrallë bien nën 27°C dhe lagështia është mbi 55 për qind, duke bërë që pilotët të humbasin deri në katër kilogramë gjatë garës.
Ish-kampioni Nico Rosberg e përshkroi kështu: “Është si të ngasësh biçikletë për dy orë në sauna”.
Ndërkohë, Max Verstappen shtoi: “Gjithmonë je i djersitur dhe nuk mund të bësh asgjë për ta ndaluar”.
Pista “Marina Bay” ka mbi 5 km, 24 kthesa dhe mure betoni ngado. Gabimet janë të zakonshme për shkak të lodhjes ekstreme. Kevin Magnussen ka thënë se pijet gjatë garës nxehen aq shumë sa janë “si çaj”, ndërsa Yuki Tsunoda e cilëson këtë si garën më të vështirë në kalendar.
Singapori mbetet një sfidë e rrallë dhe brutale në epokën moderne të F1, një “ferr i përsosur” ku mbijetesa bëhet sukses më vete.




