Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur ditën e djeshme në aksin që të çon drejt plazhit të Borshit, një segment shumë i frekuentuar nga pushues dhe banorë lokalë. Ngjarja ka rezultuar fatale për dy bashkëshortët K.M dhe D.M, përkatësisht 62 dhe 54 vjeç, të cilët humbën jetën pas përplasjes së fortë të furgonit me një automjet tip “Mercedes”.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka qenë e dhunshme dhe si pasojë automjeti ka devijuar drejt trotuarit, duke vënë në rrezik edhe kalimtarët. Dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e lartë e automjetit “Benz”, i cili ka goditur furgonin në mënyrë të drejtpërdrejtë, shkruan TopChannel, transmeton AutoPortali.
Drejtuesi i “Mercedes”-it, ndodhet në gjendje të rëndë dhe është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Ndërkohë, pasagjeri tjetër në automjet, është nën mbikëqyrje mjekësore dhe gjendja e tij raportohet të jetë e stabilizuar.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të këtij aksidenti tragjik.




