Ish-mbrojtësi i Prishtinës, Dion Gallapeni, ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me klubin polak Widzew Łódź, konfirmon skuadra përmes një njoftimi zyrtar, shkruan AutoPortali.
Gallapeni, 20 vjeç, e nisi karrierën tek Winner Prizren dhe më pas kaloi në FC Prishtina, ku luajti si në ekipin e të rinjve, ashtu edhe në atë të parë. Me ekipin senior realizoi 61 paraqitje zyrtare, përfshirë 49 në Superligë, ku shënoi dy gola dhe dha tetë asiste. Në garat vendore të Kupës, shtoi tre gola dhe dy asiste, duke ndihmuar Prishtinën të fitojë Kupën e Kosovës.
Mbrojtësi i majtë ka gjithashtu tre paraqitje me Kombëtaren A të Kosovës, ku debutoi në mars në ndeshjen play-off ndaj Islandës në Ligën e Kombeve dhe më pas luajti në dy miqësore në qershor.
Kontrata e tij me klubin polak do të zgjasë deri në fund të qershorit 2029./AutoPortali/




