Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikë kalimin kufitar të Bërnjakut është ndaluar një automjet në të cilin është gjetur sasi e konsiderueshme e mjeteve monetare të padeklaruara.
Pas ndaljes së automjetit oficerët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë kryer kontrollin ku në çantën e drejtuesit të mjetit janë gjetur 13 mijë e 350 euro të padeklaruara.
“Në përputhje me procedurat 25% e kësaj shume do të konfiskohet, që do të thotë një shumë prej 3,337.50 euro. Kjo masë është ndërmarrë si pasoje e shkeljes së rregullave të deklarimit të monetar, derisa shuma e mbetur do të nënshtrohet një verifikimi të mëtejshëm në lidhje me origjinën e këtyre mjeteve monetare, në bashkëpunim me sektorët kompetentë dhe në koordinim me prokurorinë”, thuhet ndër tjera në njoftimin e tyre, transmeton AutoPortali.
Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.