Don Kaçandolli, ylli në ardhje i autmobilizmit kosovar
D

Don Kaçandolli, ylli në ardhje i autmobilizmit kosovar

Nëse i referohemi fjalës së urtë popullore, “Dardha pikë nën dardhë”, atëherë automobilizmi kosovar që nga e fundjava e kaluar e ka fituar edhe një garues që premton shumë.

Bëhet fjalë për Don Kaçandollin, i cili debutoi në garën e mbajtur në Grashticë dhe atë në mënyrën më të mirë.

Përveç talentit që e shfaqi që në garën e parë, ai ka edhe nga kush të frymëzohet, duke marrë parasysh se është i biri i Valdet Kaçandollit, garuesit me shumë përvojë e shumë tituj, i cili në vitin e kaluar u bë shqiptari i parë pjesëmarrës në të gjitha garat e Kampionatit Evropian.

Doni me Suzuki Swift GTI, doli fitues në Klasën 1, ndërsa i nënti në plasmanin e përgjithshëm, që gjithsesi është sukses që duhet vlerësuar.

“Jam i kënaqur me debutimin. Duke marrë parasysh që ishte gara e parë, sigurisht që kisha emocione. Sidoqoftë, mendoj se pata paraqitje të mirë në Grashticë, ndërsa shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi i sukseseve të mia”, është shprehur Don Kaçandolli për AutoPortali.com.

Natyrisht, për të arritur deri te fitorja dhe synimet që i ka për të ardhmen, ai i shfrytëzon edhe këshillat e Valdetit.

“Unë jam rritur me dëshirën që një ditë të garoj në auto sport dhe kjo ëndërr tashmë është bërë realitet. Sigurisht që babi është ai që më këshillon dhe më përkrah në çdo aspekt, ndërsa mua më mbetet të përkushtohem maksimalisht dhe të arrij rezultate sa më të mira”, ka shtuar anëtari më i ri i auto klubit më të ri, Kaçandolli Racing Team.

Pavarësisht se Valdeti në karrierën e tij ka rezultate kulmore, Doni beson se mund ta kalojë “mësuesin” e tij.

“Është e vështirë të arrihen rezultatet e tij, por unë besoj që me kushtet dhe përkrahjen e madhe që ma ofron, mund të arrij rezultate edhe më të mira”, është shprehur optimist Kaçandolli i ri.

Pas plotësimit të dëshirës për të marrë pjesë në gara zyrtare të automobilizmit, Doni e ka edhe një synim tjetër.

“Dëshira ime e radhës është që një ditë të marr pjesë në të njëjtën garë me babin dhe shpresoj që edhe kjo të ndodhë së shpejti”, ka thënë Don Kaçandolli në fund.

TË FUNDIT