Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike është ëndërr e çdp sportisti dhe kjo ishte edhe ëndrra e boksieres sonë, Donjeta Sadiku.
Ajo do të jetë në “Paris 2024” për ta bërë ëndrrën realitet, pasi tashmë e ka siguruar normën olimpike, e që është hera e parë që dikush nga sporti i boksit kosovar e arrin këtë sukses që kur vendi ynë është shtet.
Donjeta ka thënë se për të arritur deri këtu, ka sakrifikuar shumë.
“Ka shumë sakrifica, ka shumë punë. Kam sakrifikuar shumë për këtë fitore, kështu që për mua do të thotë shumë ky kualifikim për ‘Paris 2024’”, është shprehur Sadiku.

“Kam qenë krejtësisht ndryshe nga garat e tjera. Po, kur kam shkuar e kam pasur një bindje që unë jam më e mira dhe s’ka më të mira se unë. Kësaj radhe përnjëmend në mendjen time s’ka pasur më të mira”, theksoi Sadiku për Klan Kosova.
“Vizën” për “Paris 2024”, Sadiku e siguroi pas triumfit turneun që u mbajt në Busto Arsizio të Italisë.
Në meçin final të kategorisë deri në 60 kilogramë, Donjeta fitoi ndaj italianes Alessia Mesiano.



