Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së 25-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.
Drita ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim te Feronikeli ‘74 me rezultat 1:0, ndërsa Prishtina ka fituar bindshëm ndaj Dukagjinit me shifrat 5:0.
Drita i ka importuar tri pikë shumë të rëndësishme. Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat nuk është se krijuan shumë raste dhe nuk pati gola.
Në pjesën e dytë, pati më shumë aksione e raste nga të dyja skuadrat, ndërsa u shënua edhe një gol.
Rady Ovuka e zhbllokoi rezultatin në minutën e 78-të, duke e kaluar Dritën në epërsi me 1:0, që doli të ishte edhe rezultati përfundimtar.
Drita renditet në pozitën e tretë me 49 pikë apo dy më pak se Ballkani i pari, ndërsa Feronikeli ’74 renditet i shtati me 26 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, gjilanasit luajnë derbin lokal ndaj Gjilanit, ndërsa drenicasit udhëtojnë te Dukagjini.

Në ndeshjen tjetër që u zhvillua sot, Prishtina ka mposhtur Dukagjinin me rezultat të thellë 5:0.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte plotësisht e dominuar nga vendasit, të cilët përveç rasteve të shumta arritën të shënojnë edhe tri gola.
Pas vetëm dy minutave lojë Ardian Limani shënoi për 1:0, ndërsa Mërgim Pefqeli shënoi në minuta 5 e 42 për epërsinë 3:0.
Në pjesën e dytë, përsëri Prishtina ishte skuadër dukshëm më e fortë duke pasur edhe shumë raste tjera për gol dhe duke shënuar edhe dy gola.
Në minutën e 59-të, Genc Hamitii shënoi për 4-0. I njëjti futbollist shënoi edhe për rezultatin përfundimtar (5:0) në minutën e 80-të.
Pas kësaj fitoreje, Prishtina mbetet në pozitën e pestë me 37 pikë, ndërsa Dukagjini i gjashti me 31 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, kryeqytetasit udhëtojnë te Fushë Kosova, ndërsa klinasit e presin Feronikelin ’74.



