Dy ndeshje interesante sot në Superligë
D

Dy ndeshje interesante sot në Superligë

Xhiroja e 25-të e Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet gjatë kësaj mesjave, me ndeshjet që do të luhen të martën dhe të mërkurën.
Programi i kësaj jave nis sot me dy përballje, ndërsa tri ndeshje të tjera janë paraparë të zhvillohen ditën e nesërme.
Një nga sfidat më interesante të ditës së sotme do të jetë ajo mes Ferizajt dhe Prishtinës. Kryeqytetasit synojnë të rikthehen te rezultatet pozitive, megjithëse i pret një transfertë e vështirë, pasi skuadra vendase ka nevojë të madhe për pikë në luftën për mbijetesë.
Bardhekaltrit e drejtuar nga trajneri Afrim Tovërlani kanë humbur disi hapin në garën për kreun e tabelës në javët e fundit, dhe një tjetër rezultat negativ do ta vështirësonte edhe më shumë objektivin e tyre për t’u shpallur kampionë të Kosovës në fund të sezonit.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të programit të sotëm, Drenica do të përballet me Malishevën. Skuadra nga Skenderaj do të synojë t’i mbajë pikët në shtëpi për t’u larguar sadopak nga fundi i tabelës, ndërsa Malisheva vjen në këtë sfidë më e qetë në renditje, por gjithsesi me synimin për të marrë rezultat pozitiv.
Të dyja ndeshjet e ditës së sotme në kuadër të xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës do të nisin nga ora 13:00./AutoPortali

TË FUNDIT