Egzon Ukëhaxhaj, “Helmeta e Artë” e Prishtinës  
E

Egzon Ukëhaxhaj, “Helmeta e Artë” e Prishtinës  

Egzon Ukëhaxhaj është ndër garuesit më të mirë në autosportin e kosovës, konkretisht në disiplinën malore.

I qetë, i rregullt, i përgatitur dhe pa shumë fjalë, por shumë eksploziv në shtigjet e garave.

Anëtari i Prishtina Racing Team, për herë të tretë me radhë doli kampion në Klasën 3 dhe si rezultat i kësaj, në gala mbrëmjen e shpalljes së laureatëve nga FASK, ai u nderua me “Helmetën e Artë”, çmimi më prestigjioz në auto sport.

“Jam i emocionuar për këtë të arritur. Tri herë radhazi kampion në klasën 3 dhe në fund, ‘Helmeta e Artë’ janë rezultate që vërtet më bëjnë krenar”, ka thënë Ukëhaxhaj për faqen zyrtare të FASK-ut.

Pavarësisht mundit, kohës, shpenzimeve e sakrificave, Egzoni shprehet i vetëdijshëm se, deri këtu nuk do të mund të arrinte i vetëm.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës për të gjithë ata që kanë qenë pranë meje, duke filluar nga familja ime. I falënderoj miqtë e mi që që më kanë qëndruar pranë dhe më kanë brohoritur në çdo kthesë të këtij udhëtimi të gjatë. Po ashtu, një falënderim i veçantë për sponsorët e mi”, është shprehur Ukëhaxhaj, duke shtuar se ky sukses u takon të gjithë atyre që kanë besuar tek ai.

Por, kjo nuk është e tëra. Egzoni synon të suksese të reja në rrafshin vendor, por edhe të sfidojë veten në arenën ndërkombëtare.

“Pasioni, vendosmëria dhe mbështetja e palëkundur e ekipit tim të jashtëzakonshëm bëjnë që e ardhmja të jetë edhe më kërkuese. Besoj që në kampionatin e ri të garoj me një veturë më cilësore dhe të marrë pjesë edhe në gara ndërkombëtare. Do ta jap maksimumin në secilën garë dhe shpresoj të arrij rezultate edhe më të mira”, është shprehur optimist Egzoni.

TË FUNDIT