EPA propozon anulimin e rregulloreve për gazrat serrë në automjete
E

EPA propozon anulimin e rregulloreve për gazrat serrë në automjete

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) ka propozuar zyrtarisht shfuqizimin e Konstatimit të Rrezikut të vitit 2009, i cili prej më shumë se një dekade ka shërbyer si bazë për rregullimin e emetimit të gazrave serrë nga automjetet e reja në SHBA. Ky ndryshim do të eliminonte detyrimin për prodhuesit e automjeteve për të matur, raportuar apo përmbushur standarde për CO₂, metanin, oksidin e azotit dhe hidrofluorokarbonet. Rregulloret për ndotës të tjerë, si monoksidi i karbonit apo grimcat e imta, do të mbeten në fuqi.

Ky propozim vjen pas një urdhri ekzekutiv të Presidentit Trump, i nënshkruar më 20 janar 2025, me synimin për të “çliruar” industrinë energjetike dhe për të zvogëluar barrën mbi industrinë e automobilave. Sipas EPA-së, rregulloret ekzistuese e bëjnë prodhimin e automjeteve më të kushtueshëm, duke rritur edhe çmimet për konsumatorët dhe bizneset. Agjencia argumenton se deregulimi mund të rikthejë vende pune dhe të rrisë konkurrueshmërinë e industrisë amerikane të automobilave, shkruan Motortrend, transmeton AutoPortali.

Megjithatë, ekspertët janë skeptikë. Shumica e prodhuesve globalë operojnë në tregje ku standardet mjedisore mbeten të rrepta, si Bashkimi Evropian dhe Kina. Kjo do të thotë se investimet në teknologji të pastër do të vazhdojnë, dhe prodhuesit nuk do të kursejnë domosdoshmërisht para vetëm sepse SHBA-ja i heq këto standarde. Në fakt, nuk pritet një ndikim i madh në çmimet për konsumatorin apo zhvendosje të prodhimit.

Në lidhje me automjetet elektrike, nuk ka asnjë mandat federal që i detyron prodhuesit t’i prodhojnë. Rregulloret e mëparshme (nën administratën Biden) synonin përmirësimin e efikasitetit të karburantit, por nuk specifikonin teknologjinë që duhej përdorur. Ndërkohë, shtete si Kalifornia kanë vendosur rregulla të pavarura, duke kërkuar që të gjitha makinat e reja të jenë me emetime zero deri në 2035 rregulla që janë aktualisht nën shqyrtim gjyqësor.

TË FUNDIT