Kampioni në fuqi, Ballkani, e ka lënë prapa krizën që e pati në javët e fundit. Skuadra nga Theranda është rikthyer te fitorja në kuadër të javës së 23-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, duke fituar në udhëtim te Dukagjini me rezultat 2:1. Mysafirët kaluan në epërsi që në sekondën e 29-të, kur Meriton Korenica shënoi gol spektakolar pas një gjuajtje të saktë nga zona. Epërsinë në 2:0 e shtoi Nazmi Gripshi, në minutën e 27-të nga penalltia.
Ndërkaq, golin e vetëm për Dukagjinin e realizoi Max Rugova, në minutën e 87-të.
Fitore si mysafir realizoi edhe Llapi, që e mposhti Feronikelin 74, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultatin 1:0. Golin e tri pikëve të rëndësishme në garën për titull për llapjanët e realizoi Muhamet Hyseni në minutën e 68-të.
Për befasinë e madhe të kësaj jave u përkujdes Fushë Kosova, e cila i shkaktoi humbje Dritës në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj ndeshjeje e shënoi Sinan Sinanoviq në minutën e 87-të. Me këtë humbje Drita bën një hap prapa në garën për titull.
Pas ndeshjeve të sotme, Ballkani mbetet në udhëheqje të Superligës me 48 pikë, një më shumë se Llapi dhe katër më shumë se Drita.