Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka sqaruar përfundimisht debatin mbi hierarkinë mes portierëve në skuadër, duke konfirmuar se Joan Garcia mbetet zgjedhja e parë mes portave.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur rikthimi i Marc-André ter Stegen ka hapur diskutime të gjera rreth rolit të tij në ekip.
Flick u shpreh se Garcia e ka fituar pozicionin me paraqitjet mbresëlënëse këtë sezon dhe se për momentin nuk sheh arsye për të ndryshuar këtë renditje.
“Joan Garcia është portieri i parë dhe kjo është e rëndësishme. Ai po performon mirë dhe e ka merituar këtë rol,” tha tekniku gjerman.
I pyetur për raportin e tij me Marc-André ter Stegen, i cili kërkon rikthimin në formacion pas lëndimit, Flick theksoi se komunikimi mes tyre ekziston, por mbetet privat.
“Sigurisht që flas me lojtarët, kjo është pjesë e punës sime. Por është diçka mes meje dhe tij,” deklaroi trajneri, duke shmangur komentet e drejtpërdrejta për të ardhmen e portierit gjerman.
Në vijim, Flick përsëriti se skuadra nuk i kushton vëmendje garës së përhershme me Real Madridin, por punon për të përmirësuar identitetin dhe rezultatet e veta.
“Nuk fokusohemi te Real Madrid. Jemi 100% të përqendruar te Barcelona dhe situata jonë,” u shpreh ai.
Hierarkia e re mes portierëve dhe forma e shkëlqyer e Garcia-s pritet të sjellin debate të mëtejshme, veçanërisht për rolin dhe të ardhmen e Ter Stegenit në klub, i cili për vite me radhë ka qenë figurë kyçe në portën blaugrana. /AutoPortali



