Ford synon të krijojë “Porsche-in e off-road-it”, një supermakinë për terrene ekstreme
F

Ford synon të krijojë “Porsche-in e off-road-it”, një supermakinë për terrene ekstreme

Ford mund të jetë gati të trazojë botën e supermakinave me një ide krejtësisht të re – një makinë ultra-performante për terrene jashtë rruge. CEO i kompanisë, Jim Farley, ka zbuluar në një intervistë për podcast-in e Bloomberg se Ford po shqyrton mundësinë e krijimit të një supermakine off-road, që do të ofrojë një përvojë të paparë më parë në këtë segment.

“Ende nuk ekziston një Porsche i off-road-it,” tha Farley, duke nënkuptuar se boshllëku në këtë treg mund të mbushet pikërisht nga Ford, transmeton AutoPortali.

Ideja është për një automjet jashtë normave, jo pickup, por një supermakinë për zhavorr, rërë dhe terrene të ashpra, me rreth 1,000 kuaj fuqi dhe teknologji të avancuar pezullimi dhe amortizimi. Farley përshkroi një koncept pjesërisht elektrik, me aftësi për t’u përshtatur në mënyrë dinamike me terrenin dhe për të ofruar performancë të nivelit të lartë edhe në kushte ekstreme.

Projekti, sipas Farley, është në fazën e diskutimeve serioze brenda kompanisë, edhe pse ende nuk është vendosur nëse modeli përfundimtar do të jetë me dy apo katër vende. Ajo që është e sigurt, sipas tij, është që një makinë e tillë do të sfidonte monotoninë e supermakinave aktuale, të cilat, sipas CEO-së së Ford, shpesh ndjekin të njëjtin formulim klasik për asfaltin.

Ky vizion mund të sinjalizojë një epokë të re për supermakinat larg pistave dhe afër natyrës, me shpejtësi, fuqi dhe liri të reja. Nëse realizohet, Ford mund të jetë kompania që ridizajnon kufijtë e performancës, jo vetëm në rrugë, por edhe përtej tyre.

TË FUNDIT