Shkencëtarët kanë paralajmëruar se për shkak të krizës klimatike në botë, një valë e të nxehtit pritet ta “godas” Anglinë juglindore këtë fundjavë. Temperaturat pritet të arrijnë 32 gradë celcius.
Ngrohja globale, e shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile, po bën çdo valë të të nxehtit më të mundshme dhe më intensive. Temperatura 32°C (89.6°F) e parashikuar për të shtunën do të kishte ndodhur vetëm një herë në 2,500 vjet nëse nuk do të ekzistonte kriza klimatike, thanë studiuesit, duke shtuar se edhe valët e të nxehtit në qershor janë rreth 2–4°C më të nxehta sesa vitet e kaluara.
Sipas The Guardian, kjo nxehtësi pritet të shkaktojë vdekje të parakohshme, veçanërisht te të moshuarit dhe personat më të ndjeshëm, transmeton AutoPortali.
Më shumë se 10,000 njerëz kanë ndërruar jetë për shkak të valëve të të nxehtit gjatë viteve 2020 dhe 2024, sipas Agjencisë Britanike të Sigurisë Shëndetësore, ndërsa qeveria britanike është kritikuar ashpër për mungesën e strategjive ndaj motit ekstrem.
Shkencëtarët thanë se kjo valë e të nxehtit është bërë 10 herë më e mundshme për shkak të krizës klimatike.
Sa shpesh duhet të presim që Anglia juglindore të përjetojë valë të nxehtësisë me tri ditë mbi 28°C në qershor?

Dr. Ben Clarke nga Kolegji Imperial i Londrës, pjesë e ekipit kërkimor, tha se shkaktari i kësaj nxehtësie ekstreme është i qartë:
“Ky mot nuk do të ishte një valë të nxehti pa ngrohjen e shkaktuar nga njeriu,” tha ai.
Kriza klimatike e ka çuar temperaturën mesatare globale në një rekord të ri në vitin 2024, ndërsa emetimet e dioksidit të karbonit nga qymyri, nafta dhe gazi vazhdojnë të rriten. Nëse kjo vazhdon për vetëm edhe dy vite, tejkalimi i kufirit ndërkombëtar të rënë dakord prej 1.5°C mbi nivelet para-industriale do të bëhet i pashmangshëm, duke përkeqësuar motin ekstrem që tashmë po merr jetë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën.
“Me çdo fraksion të një shkalle ngrohjeje, MB do të përjetojë valë më të nxehta dhe më të rrezikshme. Kjo do të thotë më shumë vdekje nga të nxehtit, më shumë presion mbi shëndetësinë, më shumë ndërprerje në transport dhe kushte më të vështira pune. Mënyra më e mirë për të shmangur një të ardhme me nxehtësi të pamëshirshme është kalimi në energji të rinovueshme.”, tha Clarke.
“Është shumë e rëndësishme të theksojmë këtë valë të të nxehtit në fillim të verës, sepse ndikimet e të nxehtit ende nënvlerësohen rëndë, dhe Mbretëria e Bashkuar nuk është e përgatitur për këtë lloj moti.”
Komiteti për Ndryshimet Klimatike, këshilltari zyrtar i qeverisë, tha në prill se përgatitjet e Mbretërinë e Bashkuar për t’iu përshtatur klimës që ndryshon janë “të pamjaftueshme, të pjesshme dhe të çrregullta”, u shpreh Dr. Friederike Otto, po ashtu nga Kolegji Imperial.
“Valët e të nxehtit quhen vrasës të heshtur, sepse nuk i shohim njerëzit të bien për vdekje në rrugë, por ata janë vërtet vrasës. Në Evropë, në vitin 2022, mbi 60,000 njerëz vdiqën nga nxehtësia ekstreme gjatë verës.”, tha tutje Otto.
Maja Vahlberg nga Qendra Klimatike e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe tha: “Fatkeqësisht, shumica e njerëzve vdesin nga nxehtësia brenda shtëpisë dhe vetëm, veçanërisht të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike si ato të zemrës ose mushkërive.”
“Trupi i njeriut nuk është krijuar për të përballuar ekspozimin e zgjatur ndaj një të nxehti ekstrem. Është e pamohueshme që ndryshimi i klimës po kushton jetë britanike. Politikanët dhe komentuesit që përqeshin veprimet ndaj klimës duhet të reflektojnë mbi këtë fakt, sepse derisa të ndalojmë emetimet e gazeve serrë, këto episode do të bëhen gjithnjë e më ekstreme.”, u shpreh Prof. Mike Tipton, fiziolog në Universitetin e Portsmouth.
Pranvera jashtëzakonisht e thatë, e kombinuar me temperatura të larta, do të thotë se Mbretërinë e Bashkuar po përballet edhe me një rrezik të lartë për zjarre në natyrë, tha Theodore Keeping nga Imperial College.
“Kemi parë tashmë sipërfaqen më të madhe të djegur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit.”
Ai u bëri thirrje njerëzve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm me zjarrin, barbekytë dhe cigaret.
Studimi i shpejtë për rolin e ngrohjes globale në valën e të nxehtit të parashikuar për fundjavën krahasoi probabilitetin e temperaturave të larta në klimën e sotme më të nxehtë me atë të periudhës para-industriale. Ekipi, pjesë e grupit World Weather Attribution, përdori gjithashtu modelet klimatike të detajuara nga vala e të nxehtit e vitit 2022, për të përshpejtuar përfundimet.
Ata thanë se të moshuarit janë më të rrezikuarit nga temperaturat e larta, por edhe njerëzit me kushte të tjera shëndetësore mund të preken, pasi disa ilaçe humbin efektivitetin ose e vështirësojnë ftohjen e trupit.
Djersitja është mënyra kryesore e trupit për t’u ftohur, ndaj është thelbësore të pihet shumë ujë, theksuan studiuesit. Mbajtja e dritareve dhe perdeve të mbyllura gjatë ditës dhe hapja e tyre gjatë natës ndihmon në uljen e temperaturës në shtëpi. Një studim i fundit vlerësoi se 80% e shtëpive në Mbretërinë e Bashkuar mbingrohen gjatë verës.
Temperaturat në Mbretërinë e Bashkuar tejkaluan për herë të parë 40°C në vitin 2022. Zyra Met tha se vendi ka 50% mundësi që temperaturat të arrijnë sërish 40°C në 12 vitet e ardhshme dhe se nuk mund të përjashtohen temperaturat deri më 45°C.
Sipas një raporti të publikuar më 12 qershor nga kompania gjigante e sigurimeve Swiss Re, nxehtësia ekstreme është më vdekjeprurëse se përmbytjet, tërmetet dhe uraganet së bashku: “Deri në gjysmë milioni njerëz në mbarë botën humbin jetën çdo vit për shkak të të nxehtit ekstrem,” thuhej në raport.
“Nxehtësia ekstreme dikur konsiderohej ‘rreziku i padukshëm’, sepse pasojat e saj nuk janë aq të dukshme sa të rreziqeve të tjera natyrore,” tha Jérôme Haegeli, kryeekonomist në Swiss Re. “Me një prirje të qartë drejt valëve më të gjata dhe më të nxehta, është e rëndësishme të nxjerrim në pah koston e vërtetë për jetën njerëzore, ekonominë, infrastrukturën, bujqësinë dhe shëndetësinë.” /AutoPortali



