Organizata drejtuese e Formulës 1 ka shpallur garën e ardhshme për Çmimin e Madh të Singaporit si garë me “temperatura të rrezikshme” për shkak të nxehtësisë ekstreme.
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka marrë këtë vendim, pasi për fundjavë parashikohen temperatura mbi 31°C, në kushte me lagështi të lartë dhe klimë tropikale. Për këtë arsye, ekipet do të kenë mundësi të përdorin sisteme ftohëse për pilotët, sipas BBC.
Përdorimi i jelekëve ftohës nuk është i detyrueshëm, por ekipet duhet të instalojnë sistemin në makinat e tyre për të siguruar që pilotët që nuk i përdorin të mos kenë avantazh për shkak të peshës më të ulët të makinës.
Kjo është gara e parë që shpallet zyrtarisht e rrezikshme për shkak të të nxehtit, sipas një rregulli të ri të futur këtë vit. Megjithatë, jelekët janë testuar nga ekipet gjatë sezonit.
Gara në Singapor prej kohësh konsiderohet më e vështira në kalendar, për shkak të kombinimit të nxehtësisë, lagështisë, kohëzgjatjes (afër kufirit prej dy orësh), dhe pistës me sipërfaqe të pabarabartë në zonën e Marina Bay.
Gara zhvillohet të dielën në orën 14:00.



