Me garën e kësaj fundjave, e cila mbahet në Bahrein, nis kampionati i ri në Formula 1.
Max Verstappen i Red Bull shihet si favoriti kryesor për titull, por befasitë gjithmonë janë të mundshme.
Gazmend Gashi, ish-garues e kampion i shumfishtë në autosportin kosovar dhe dashamir i flaktë i Formula 1, shpreson që sivjet titullin do ta fitojë dikush tjetër.
“Është shumë herët për të dhënë prognoza, sidomos sivjet, duke marrë parasysh se në kalendar janë 24 gara, kampionati më i gjatë në histori të Formula 1. Personalisht mendoj që, në konkurrencën ekipore, Ferrari është i vetmi që do ta sfidojë Red Bull. Ndërsa, sa i përket garuesve, favorit e shoh Charles Leclerc i cili me një ‘setup’ të mirë, ka gjasa t’ia rrrëmbejë titullin Max Verstappenit. Gjithsesi, po e përsëris, që është shumë herët për prognoza të tilla”, ka thënë Gashi për Autoportali.com
Si tifoz i çmendur i Ferrarit, ai shprehet optimist se kjo skuadër do ta fitojë titullin e sivjetmë.
“Vlen të theksohet se Ferrari ka bërë përmirësime të dukshme në bolid, ashtu siç kanë bërë edhe skuadrat tjera. Megjithatë, unë si tifoz i flaktë i Ferrarit, ndoshta jam edhe subjektiv, por sivjet e pres titullin”, ka shtuar Gashi.
Ndryshe nga ai mendon gazetari dhe komentatori i njohur, Naim Selmani, po ashtu i pasionuar pas Formula 1.
“Mendoj që Red Bull me pilotin Max Verstappen mbetet pretendenti kryesor për titull. Kjo për arsye se kanë vazhdimësi në ecurinë e bolidit dhe e kanë një pilot me karakter të fortë dhe fitues”, është shprehur Selmani për Autoportali.com.
Sipas tij, Ferrari dhe Mercedes janë po ashtu dy skuadra shumë të forta.
“Nga kualifikimet në Bahrein ka sinjale se Ferrarri e ka përmirësuar bolidin në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa Mercedes është në kërkim të zgjidhjeve për të qenë të paktën në pozitën e nënkampionit”, ka theksuar Selmani.
Edhe ai nuk e përjashton mundësinë e befasive.
“Formula 1 mbetet sporti më atraktiv, pasi shpesh di edhe të na befasojë. Shumë përgjigje për ekipet do të merren pas garës së parë në Bahrein”.
Edhe Genc Macula, dashamir i Formula 1 dhe garues në auto sportin kosovar mendon se Verstappen do ta mbrojë titullin.
“Për mua Verstappen mbetet favoriti kryesor për titull, por sigurisht që kampionati do të jetë interesant. Besoj që rivali kryesor do të jetë Ferrari me Charles Leclerc”, ka parashikuar Macula.