Gresini gjen zëvendësuesin e Marc Marquez
G

Gresini gjen zëvendësuesin e Marc Marquez

Piloti i Ducatit në Kampionatin Botëror të Superbike, Iker Lecuona, do të zëvendësojë të dëmtuarin Alex Marquez në Çmimin e Madh të Hungarisë në MotoGP këtë fundjavë.

Marquez pësoi thyerje të vertebrës së shtatë dhe të klavikulës pas një incidenti gjatë garës në Kataloni. Për këtë arsye, ai mungoi në të gjithë aktivitetin e fundjavës së kaluar në Mugello, ndërsa ishte konfirmuar më herët se nuk do të garojë as në pistën Balaton Park.

Për momentin nuk ka informacione nëse piloti spanjoll do të mund të rikthehet gjatë muajit qershor. Deri në fund të muajit janë planifikuar edhe garat në Brno dhe Assen.

Lecuona do të bëjë kështu rikthimin e tij në MotoGP për herë të parë që nga Çmimi i Madh i Katarit në vitin 2023. Që prej asaj kohe ai ka garuar në Superbike, ku aktualisht renditet i dyti në kampionat pas shokut të skuadrës, Nicolo Bulega.

Spanjolli kishte garuar më parë në Lusail si zëvendësues i Alex Rins te LCR Honda. Ai kaloi dy sezone në klasën mbretërore me Tech3, ndërsa debutoi në MotoGP në fund të sezonit 2019, kur ende garonte në Moto2. Rezultati i tij më i mirë ishte vendi i gjashtë në Red Bull Ring në vitin 2021.

Pas katër sezonesh në Moto2, ku siguroi dy podiume, Lecuona kaloi në Superbike. Ai kaloi katër sezone me Honda-n përpara se t’i bashkohej Ducati-t këtë vit.

Spanjolli 26-vjeçar nuk do të jetë zëvendësuesi i vetëm në Balaton Park. Cal Crutchlow do të zëvendësojë për të tetën garë radhazi të dëmtuarin Johann Zarco. Francezi u lëndua gjithashtu në Katalunjë, në një incident të veçantë nga ai i Alex Marquez, dhe pritet t’i nënshtrohet një operacioni për ligamentet e dëmtuara.

Crutchlow u rikthye në pistë fundjavën e kaluar në Mugello për herë të parë që nga tetori i vitit 2023, por u tërhoq nga gara për shkak të problemeve me shpatullën.

Aktivitetet për Çmimin e Madh të Hungarisë do të zhvillohen nga e premtja deri të dielën.

TË FUNDIT