Lewis Hamilton, shtatë herë kampion bote në Formula 1, pati një sezon shumë të vështirë në vitin e tij të parë me Ferrarin. Në 24 gara nuk arriti asnjë podium dhe përfundoi sezonin gati 100 pikë prapa shokut të skuadrës, Charles Leclerc. Megjithatë, britaniku nuk mendon për pensionim, përkundrazi, thotë se do të vazhdojë të ndjekë ëndrrën për titullin e tij të tetë.
Pas finales së sezonit në Abu Dhabi, Hamiltoni iu përgjigj kritikëve të tij: “Nuk do t’u thosha asgjë. Asnjëri prej tyre s’ka arritur atë që kam arritur unë, ndaj nuk janë as në nivelin tim”.
Hamilton sqaroi se dashuria për garat dhe mbështetja e tifozëve e mbajnë të motivuar: “Ende kam një ëndërr, e mbaj në zemër dhe punoj për të”.

Ai tha gjithashtu se tani ka nevojë për një pushim të gjatë, një “shkëputje totale”, siç e quajti ai, për t’u rikthyer i rifreskuar dhe për të “rindërtuar” karrierën e tij me Ferrarin në vitet e ardhshme.



