U zgjodh Shpresa Olimpike e Kosovës për not për vitin 2024, por Hana Beiqit ia prenë të gjitha shpresat se do të shkojë në Paris.
15-vjeçarja ishte në mesin e 42 sportistëve të vendit të cilët u përzgjodhën si “Shpresa Olimpike” të Kosovës për sivjet nga Komiteti Olimpik i Kosovës, por duket se Hana nuk do notojë dot në pishinën e kryeqytetit francez për Lojërat Olimpike verore të këtij viti, raporton Kiks Kosova.
Kjo pasi që Federata e Notit të Kosovës nuk e përfshiu atë në listën e garuesve në Kampionatin Botëror të Notit në Doha të Katarit, i cili filloi më 2 shkurt e do të vazhdojë deri më 18 shkurt.
Në këtë garë, Bordi i Federatës vendosi të dërgonte vetëm dy sportistë: Mal Gashi dhe Eda Zeqiri. Kjo e fundit është e bija e kryetarit të Federatës, Agron Zeqirit.
Mospjesëmarrja e Hanës në këtë kampionat, që ishte kusht për pjesëmarrje në Lojëra Olimpike 2024, ia këputi edhe shpresat e fundit 15-vjeçares për Olimpiadë.
Trajneri i saj nga klubi “Otrila”, Astrit Haliti, akuzon Federatën për diskriminim. Ai thotë se mospërfshirja e Hanës në listën për gara në Doha, është bërë qëllimisht për t’ia pamundësuar asaj pjesëmarrjen në Lojëra Olimpike.
Sipas trajnerit, në disiplinat olimpike, Hana ka rezultate më të mira se dy notarët e tjerë që shkuan në Katar.
Haliti thotë se nuk kërkoi që të largohet askush nga lista, por kërkoi që të rritet numri i sportistëve, pasi që mospjesëmarrja në këtë garë do ia pamundësojë garimin në Olimpiadë Hanës, e cila është notarja më e mirë e Kosovës në disiplina olimpike.
Rritja e numrit të sportistëve, i cili ka mundur të jetë më shumë se dy, sa vendosi Federata e Notit, sipas Halitit do të hapte konkurrencën dhe do ia mundësonte Kosovës që të përfaqësohet me sportistin më të mirë.
Pavarësisht se e ka prekur lajmi që nuk do të garojë në Kampionatin Botëror në Doha, 15-vjeçarja thotë se nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Madje, diskriminimi që po ia bëjnë thotë se do e forcojë edhe më shumë.
15-vjeçarja ka pasur oferta edhe nga Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut, por ajo vazhdon të zgjedhë Kosovën. /Klankosova.tv