Ibrahimovic nuk di çka është modestia, suedezi nis një aventurë të re
I

Ibrahimovic nuk di çka është modestia, suedezi nis një aventurë të re

Zlatan Ibrahimovic do të jetë pjesë e  “Kings League”. Hyrja e ish-sulmuesit të Milanit në Ligën e themeluar nga Gerard Pique do ta lejojë atë të luajë rolin e presidentit të “Kings World Cup”.

Një aventurë e re, pra, për suedezin, gati për të marrë rolin e paprecedentë të presidentit të një turneu që do të luhet në muajt e ardhshëm.

“Kam fituar më shumë se 30 trofe. Kam shënuar më shumë se 500 gola. Nuk ka njeri që nuk e di emrin tim. Nuk më mungon futbolli, jam unë që i mungoj. Unë jam më i miri. Unë jam Mbreti i Mbretërve”, ka thënë gjiganti suedez.

“Kings World Cup” është një turne i ri, i organizuar nga “Kings League”. Në të do të marrin pjesë 32 skuadra, 20 prej të cilave vijnë nga “Kings League” e Spanjës dhe ato të Amerikës.

12 skuadrat e mbetura, të cilat do të vijnë nga vende të tjera, do të shpallen në javët në vijim. Turneu do të zhvillohet në Meksikë nga 26 maji deri më 8 qershor. Skuadra që fiton trofeun do të fusë në xhep 1 milion dollarë.

A rrezikon shpallja e Ibrahimovic si president i “Kings World Cup” të ndërhyjë në rolin e tij të ri te Milani? Absolutisht jo.

“Liga e Mbretërve” nuk i përket futbollit profesionist, rrjedhimisht nuk do të ketë asnjë lloj pengese për Ibrahimovic, i cili do të jetë në gjendje të vazhdojë me qetësi punën e tij si këshilltar i lartë i klubit kuqezi.

TË FUNDIT