Jacques Villeneuve, ish-kampion i Formulës 1, ka dërguar një paralajmërim për kampionin aktual, Max Verstappen.
Villeneuve paralajmëroi Verstappenin të jetë i kujdesshëm për shkak të asaj që ai e quan “pabarazi” në trajtimin e pilotëve nga ana e gjyqtarëve të FIA-s, që sipas tij aktualisht favorizon Oscar Piastrin, të cilin e përshkruan si “fëmija i artë” i Formulës 1.
Sipas kampionit të vitit 1997, Piastri po gëzon për momentin një lloj “imuniteti” në sytë e gjyqtarëve, gjë që mund të përbëjë një avantazh të madh në garën e tij për titullin e parë kampion, ndërsa Verstappeni, sipas Vileneuve, më shpesh ndëshkohet për të njëjtat apo ngjashme veprime.
“Oscar Piastri duket plotësisht imun ndaj presionit dhe ka edhe një mentor të shkëlqyer në Mark Webber. Nuk do të shkoja deri aty sa ta quaja figurë atësore, por ekziston një ekuilibër dhe energji mes tyre që e ndihmon shumë. Piastri është i parapëlqyer, për momentin është fëmija i artë. Nëse ndodh diçka, ai nuk do të ndëshkohet aq lehtë sa, për shembull, Max Verstappen. Dhe kjo është një ndihmë e madhe në luftën për titull”, thotë Villeneuve.
Piastri tashmë ka mposhtur Verstappenin në Arabinë Saudite dhe Majami, dhe aktualisht ka 16 pikë avantazh ndaj shokut të skuadrës, Lando Norris.
Villeneuve e krahasoi situatën edhe me luftën e brendshme për titull te Mercedesi dhjetë vite më parë.
“Më kujton periudhën kur Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg po luftonin për titullin. Nëse do të bënin të njëjtin veprim, Nico do të ndëshkohej, ndërsa Lewis jo. Kjo pabarazi njerëzore ekziston, dhe për momentin Piastri është në anën e duhur”, thotë Villeneuve.