Në qytetin Vantaa të Finlandës, një Mercedes-Benz E-Class i vitit 2002 po tërheq vëmendje të veçantë në oborrin e një koncesionari makinash. Arsyeja? Ky automjet ka përshkuar plot 2.2 milionë kilometra, duke dëshmuar qëndrueshmërinë legjendare të makinave gjermane.
Makina ka shërbyer si taksi për shumë vite në Gjermani, para se të blihej nga tregtari finlandez i makinave, Ville Räisänen, për vetëm 280 euro. Ai fillimisht e kishte blerë për pjesë këmbimi, për shkak të vështirësisë në gjetjen e dyerve të saj, por më pas zbuloi historinë e jashtëzakonshme që fshihej pas kilometrave të saj.

Pas importimit në Finlandë në vitin 2018, Mercedes-i vazhdoi të përdorej çdo ditë. Megjithëse kilometrazhi në panel ishte bllokuar në 999,999 kilometra, dokumentet e mirëmbajtjes dëshmojnë se automjeti e ka kaluar pragun e një milionit jo një, por dy herë, duke çuar totalin në mbi 2.2 milionë kilometra.

Ironikisht, autoritetet finlandeze llogaritën taksën e makinës vetëm mbi një kilometrazh prej 186,000 kilometrash aq sa figuronte në sistem. Një tjetër Mercedes me histori të ngjashme është në pronësi të bashkëshortes së Räisänen, i cili ka kaluar 1.2 milion kilometra dhe ende është në përdorim.

Rasti i këtyre makinave është një dëshmi e fortë për jetëgjatësinë e automjeteve të ndërtuara me cilësi dhe përkushtim një vlerë që, në epokën e teknologjisë së shpejtë, nuk duhet nënvlerësuar.



