Një darkë romantike në Istambul është më e lirë se kudo tjetër në Evropë, me një kosto mesatare prej rreth 163 euro për një çift, sipas një studimi të Deutsche Bank. Megjithatë, raporti nënvizon rritjen e shpejtë të çmimeve dhe të kostos së jetesës në qytet për shkak të inflacionit.
Indeksi i Deutsche Bank për “Takimet e Lira” llogarit mesataren e shpenzimeve për një mbrëmje tipike romantike në qytete të ndryshme të botës, duke përfshirë një shishe verë, një fustan, një palë xhinse, një kafe për dy, darkë për çift në një restorant mesatar, dy bileta kine, një udhëtim të shkurtër me taksi dhe transportin publik, shkruan Hispanatolia, transmeton AutoPortali.
Sipas këtij indeksi, Istambul renditet i pari në Evropë si qyteti më i përballueshëm për një takim romantik, me një kosto mesatare 163 euro.
Pas tij vjen Praga me 186 euro dhe Budapest me 192 euro. Në nivel global, qyteti i Bangalore-s në Indi rezulton më i lirë, me një darkë romantike që kushton vetëm 88 euro.
Nga ana tjetër, qytetet më të shtrenjta për një takim janë Gjeneva në Zvicër me 400 euro për një natë, Zyrihu me 393 euro, Kopenhaga me 337 euro, Oslo me 321 euro, Londra me 313 euro dhe Edinburgu me 297 euro.
Megjithatë, pavarësisht se Istambul udhëheq renditjen e qyteteve më të lira, studimi thekson se ky është gjithashtu një nga qytetet ku kostoja e jetesës po rritet më shpejt.
Çmimi i një takimi në Istambul ka shënuar rritje 84% në pesë vitet e fundit në euro, por deri në 840% në lira turke, për shkak të inflacionit, dobësimit të lirës dhe rritjes së përgjithshme të kostos së jetesës.
Pra, edhe pse të dalësh në qytet si çift në Istanbul mbetet më lirë se në shumë qytete evropiane… ka arritur të bëhet më i shtrenjtë se kurrë më parë.



