Jo gjithçka që shkëlqen është e qetë, destinacionet më stresuese për 2025
J

Jo gjithçka që shkëlqen është e qetë, destinacionet më stresuese për 2025

Nëse po planifikoni pushimet për vitin 2025, ndoshta do të doni të shmangni këto qytete. Një studim i ri ka zbuluar destinacionet më stresuese (dhe më pak stresuese) të botës dhe disa prej emrave në listë janë befasues.

Pavarësisht bukurisë dhe pasurisë kulturore, disa qytete përballen me sfida të mëdha: nga turmat e mëdha, nivelet e larta të kriminalitetit, e deri te moti i rëndë e mbytës.

Studimi i realizuar nga kompania e qirasë së pronave “Ibiza Summer Villas” analizoi 51 nga qytetet më të vizituara në botë. Çdo qytet u vlerësua në bazë të pesë faktorëve kryesorë: dendësia e turistëve, shkalla e kriminalitetit, lagështia, tendencat e kërkimeve në internet dhe përmendja e stresit në komentet e vizitorëve.

Çuditërisht, New York-u nuk është as në top 10.

Për më tepër, qyteti që “kurrë nuk fle” rezulton të jetë më pak stresues se Los Anxhelosi, i cili zakonisht cilësohet si më i qetë dhe më i relaksuar.

New York-u zuri vendin e 14-të, ndërsa Los Anxhelosi u rendit i 13-ti.

Por kush e zuri vendin e parë, atë më të padëshiruar? Besoni ose jo: Parisi.

Qyteti i dashurisë mund të tingëllojë romantik, por me 47.5 milionë turistë të ngjeshur në vetëm 105 kilometra katrorë, hapësira për dashuri dhe për turistë është pothuajse zero, thuhet në raport.

Kjo përkthehet në 450,664 vizitorë për km², mbi dhjetëfish më shumë se New York-u.

Kërkimet për Parisin në Google janë rritur me 24% brenda një viti, duke e bërë situatën edhe më të mbingarkuar.

Edhe pse nuk kryeson për kriminalitet apo lagështi, volumi i madh i turistëve e shndërron arratisjen romantike në një përvojë stresuese për shumicën.

Në vend të dytë është Hanoi, Vietnami.

Sipas studimit, lagështia e lartë prej 84%, më e larta në listë, dhe nivelet e kriminalitetit e bëjnë udhëtimin në këtë qytet sfidues. Gjithashtu, Hanoi zë vendin e katërt për përqindjen e komenteve që përmendin stresin. Kërkimet për të janë rritur me 19%, që do të thotë se më shumë njerëz do të përjetojnë vetë këtë “vuajtje”.

Shangai, qyteti më i madh i Kinës, zë vendin e tretë. Me rreth 300 milionë vizitorë në vit dhe 47,318 vizitorë për km², Shangai është një tjetër qendër stresuese. Një rritje prej 64% në kërkimet online e bën atë ndër destinacionet më në rritje në botë.

Qytetet më pak stresuese në botë ku qetësia dhe rendi mbizotërojnë

Në anën tjetër të medaljes, studimi përmend edhe qytetet më pak stresuese për të vizituar në vitin 2025. Dhe vendi i parë, krejtësisht i papritur, shkon për Dubain.

Pavarësisht se është qyteti më i populluar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai ofron një përvojë udhëtimi shumë më të qetë: kriminalitet i ulët, strukturë urbane e shtrirë gjerësisht dhe një rënie e madhe në kërkesën e vizitorëve pra më pak turma.

Me 17.1 milionë turistë në vit, por një dendësi të ulët turistike, Dubai renditet në vendin e 43-të për dendësi. Gjithashtu, ka kriminalitetin e dytë më të ulët në listë dhe një lagështi të moderuar prej 60%.

Vendi i dytë më pak stresues është Mynihu, Gjermani.

Qyteti ofron një ekuilibër perfekt mes sigurisë, motit të butë dhe turmave të menaxhueshme. Me vetëm 8.5 milionë vizitorë dhe 27,357 turistë për km², Mynihu është dukshëm më i qetë se shumica e kryeqyteteve europiane.

Vetëm një përqindje e vogël e komenteve përmend stresin, dhe një rënie prej 16% në kërkimet online paralajmëron një të ardhme akoma më të qetë.

Në fund, por jo për nga rëndësia, vendin e tretë më pak stresues e zë Melburni, Australi.

Ky qytet i hapur dhe i qetë ka një nga dendësitë më të ulëta të turistëve në botë: vetëm 1,265 vizitorë për kilometër katror, duke e bërë atë një “frymëmarrje” të mirëfilltë në mes të turizmit global./AutoPortali

TË FUNDIT