Boksieri britanik Anthony Joshua duket mëse i vendosur të përballet me bashkëkombësin e tij Tyson Fury për t’ia rrëmbyer titullin e kampionit të peshave të rënda në kategorinë WBC.
Pas fitores ndaj Francis Ngannou më KO në raundin e dytë, Joshua është i gatshëm për hapin e radhës.
Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk do të përballen mes tyre më 18 maj në Arabinë Saudite, një duel që do të unifikojë titujt kampionë bote në peshën e rëndë. Pavarësisht se dy boksierët mund të zhvillojnë edhe një revansh, Joshua nuk humbi kohë duke përsëritur synimet e tij për t’u përballur me fitimtarin e këtij dueli.
“Në karrierën time, ndihem sikur fitoret janë lënë në të kaluarën. Nuk mund të ndalesh shumë, sepse gjithmonë ka një sfidë tjetër që vjen. Për sa i përket Usyk dhe Fury, varet nga ata. Unë jam vetëm një telefonatë larg. Ju mund të më telefononi dhe ne mund ta bëjmë marrëveshjen. Unë i respektoj ata”, tha Joshua.
Joshua dhe Fury kanë flirtuar disa herë për një “Betejë të Britanisë” përgjatë viteve, pa u konkretizuar ndonjëherë. Megjithatë, ekziston një ndjenjë që të dy tani e kuptojnë se koha është thelbësore kur bëhet fjalë për t’u ofruar fansave një nga duelet më të kërkuara të boksit.
“Do ta luftoj në kopshtin e tij të pasmë të shtëpisë nëse do, për mua nuk ka rëndësi. Unë jam një njeri luftarak. Kudo, kurdoherë, nuk ka rëndësi. Për sa kohë që ne afrojmë për tifozët, kjo është gjëja kryesore. E pres Tyson për këtë duel të madh britanikësh dhe t’i tregoj se sa vlen”, u shpreh Anthony Joshua.