Manaj mungesa e madhe e Shqipërisë ndaj Polonise
M

Manaj mungesa e madhe e Shqipërisë ndaj Polonise

Futbollisti kuqezi pësoi një dëmtim serioz ditën e diel në fillim të ndeshjes mes Sivasspor dhe Umraniyespor. Manaj u detyrua të largohej nga fusha e lojës pas vetëm shtatë minutash, duke ngritur menjëherë shqetësime për gjendjen e tij fizike.
Sulmuesi shqiptar iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore këtë të hënë, ndërsa klubi turk publikoi një njoftim zyrtar për natyrën e dëmtimit, një zhvillim që sjell shqetësime edhe për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvinho.
“Rey Manaj: Lojtari ynë është dëmtuar në pjesën e pasme të kofshës së majtë në ndeshjen që luajtëm dje. Si rezultat i ekzaminimit me rezonancë të kryer sot, është konstatuar një çarje e tendinit brenda muskulit të gradës 3c dhe gjakderdhje në pjesën e pasme të kofshës së majtë”, thuhet në komunikatën zyrtare të Sivasspor.
Ky dëmtim do të thotë se Manaj nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e 26 marsit kundër Polonisë, e vlefshme për fazën “playoff” të Botërorit të këtij viti. Madje, sipas gjasave, ky dëmtim mund ta detyrojë sulmuesin shqiptar të mbyllë para kohe edhe sezonin.
Rey Manaj ishte rikthyer te Sivasspor gjatë merkatos së muajit janar, duke synuar të rifitonte formën e tij më të mirë.
Megjithatë, për shkak të një problemi fizik, ai nuk ishte aktivizuar në ndeshjen ndaj Hatayspor. Pavarësisht kësaj, të dielën klubi turk vendosi ta aktivizojë që nga minuta e parë ndaj Umraniyespor, një vendim që në fund rezultoi i nxituar dhe i gabuar, pasi lojtari u dëmtua menjëherë në minutat e para të takimit./AutoPortali

TË FUNDIT