Javën e kaluar, në ngjarjen prestigjioze The Quail në Kaliforni, Lamborghini prezantoi Fenomeno, automjetin më të fuqishëm të markës italiane që është homologuar ndonjëherë për rrugë publike. Fenomeno nuk është vetëm një supermakinë me 1,065 kuaj fuqi është një manifest dizajni, një përvjetor i gjallë për 20 vitet e studios dizajnuese Centro Stile në Sant’Agata Bolognese.
Fenomeno është një krijesë e rrallë vetëm 29 njësi do të prodhohen por forma e tij agresive dhe skulpturore është rezultat i një frymëzimi të thellë dhe të mbajtur sekret një “makinë skulpturë” që Lamborghini nuk e ka ndarë ende me publikun. Sipas Mitja Borkert, shefit të dizajnit në Lamborghini, kjo skulpturë është themeli i dizajnit të Fenomeno-s dhe mund të mbetet për një kohë të pacaktuar jashtë syrit të publikut, transmeton AutoPortali.
Në një intervistë për “The Drive” gjatë Monterey Car Week, Borkert zbuloi se kjo makinë misterioze konceptuale është krijuar pas rikthimit të CEO-së Stephan Winkelmann në fund të vitit 2020. Ajo pason gjurmët e konceptit Terzo Millennio të vitit 2017 një bashkëpunim futurist me MIT që shërbeu si bazë për elementë të tjerë të dizajnit të Lamborghini-t, si supermakina e re Temerario, pasardhësja e Huracán-it.
Por Fenomeno nuk është thjesht një evolucion vizual është gjithashtu një triumf inxhinierik. Ajo kombinon një motor V12 me aspiratë natyrale me tre motorë elektrikë, duke arritur një total prej 1,065 kuaj fuqi më shumë se çdo Lamborghini tjetër që ka lëvizur ndonjëherë në rrugët publike.
Deri tani, mbetet e paqartë nëse Lamborghini do të ndajë ndonjëherë me publikun “skulpturën” e fshehur që ndihmoi në lindjen e Fenomeno-s.



