Gjenerata e ardhshme e SUV-it më të shitur të Lamborghini-t, Urus, do të vazhdojë të jetë një hibrid plug-in, duke përjashtuar për momentin kalimin në version tërësisht elektrik. Lajmi është konfirmuar nga CEO i kompanisë, Stephan Winkelmann, në një intervistë për Autocar, ku ai theksoi se pasiguria rreth rregulloreve të emetimeve në ndryshim të vazhdueshëm ka ndikuar drejtpërdrejt në strategjinë afatgjatë të prodhuesit italian.
Urus, i cili që nga viti 2024 ofrohet vetëm në variantin SE plug-in hybrid, do të vazhdojë në këtë drejtim për të paktën edhe një gjeneratë të plotë. Winkelmann theksoi se kjo qasje ka gjetur pritje pozitive nga klientët: “Kjo është diçka shumë e rëndësishme për ne dhe për klientët. Dhe ata ishin shumë të lumtur kur dëgjuan për këtë,” tha ai, transmeton AutoPortali.
Modeli elektrik – jo para vitit 2035
Sipas planeve aktuale, Urus elektrik mund të lançohet jo më herët se viti 2035, pikërisht kur rregulloret e BE-së kërkojnë që të gjitha automjetet e reja të kenë emetime zero. Deri atëherë, Lamborghini do të fokusohet te modelet hibride, si një zgjidhje kompromisi mes performancës dhe normave mjedisore në tranzicion.
Vendimi i Lamborghini-t për të shtyrë Urus elektrik vjen në të njëjtën linjë me strategjinë e Porsche, brendi vëlla brenda Volkswagen Group, i cili do të vazhdojë të ofrojë Cayenne me motorë ICE dhe PHEV përkrah një versioni të ardhshëm elektrik.
Një Urus krejtësisht i ri në 2029
Ndryshe nga rivali Cayenne që pritet të vijë si një version i përditësuar i modelit ekzistues, Winkelmann konfirmoi se Urus i ardhshëm do të jetë një gjeneratë krejtësisht e re, me dizajn dhe platformë të re. Megjithatë, ai shtoi se dizajni përfundimtar nuk është përcaktuar ende.
Në aspektin teknik, nuk janë dhënë ende detaje të plota, por pritet që Urus i ri PHEV të bazohet në versionin aktual me 789 kuaj fuqi dhe konfigurim hibrid me motor V8, duke mbetur një ndër SUV-at më të fuqishëm në treg.
Lanzador dhe fleksibiliteti ndaj tregut
Modeli tjetër i rëndësishëm në agjendën elektrike të Lamborghini-t, koncepti Lanzador, i planifikuar fillimisht për vitin 2028, është shtyrë për 2029. Winkelmann la të hapur mundësinë për ndryshim të mëtejshëm të afatit, në varësi të zhvillimeve në treg, pranimit të konsumatorëve dhe përparimit të infrastrukturës elektrike.
“Kemi ende shtatë muaj kohë për të vendosur se çfarë të bëjmë më pas,” tha ai, duke vënë theksin te nevoja për fleksibilitet përballë rregulloreve në ndryshim dhe cikleve më të shkurtra të jetës së produkteve.
Me këtë strategji të kujdesshme, Lamborghini po përpiqet të ruajë balancën midis trashëgimisë së saj sportive dhe kërkesave të reja të një tregu në transformim të thellë drejt elektrifikimit.




