Charles Leclerc theu tabunë ditën e diel, kur për herë të parë në karrierën e tij, ai fitoi në garën e shtëpisë, atë në Montekarlo në Formula 1. Me makinën Ferrari, ai pati një fundjavë të shkëlqyer, duke siguruar “pole position” ditën e shtunë dhe më pas dominoi e fitoi ditën e diel.
Duke rrëfyer emocionet e asaj gare, Leclerc kujton: “Nuk ka fjalë për të shpjeguar atë që ndjeva në ato momente. Aty e kisha nisur garën dy herë nga pole pa mundur të fitoj, ndaj kjo fitore e bën këtë sukses edhe më të veçantë. Këtu kam ëndërruar të bëhem një pilot i Formula 1”, ndaj është e vështirë në nivel emocional”.
“Në 15 xhirot e fundit shpresoja që asgjë të mos shkonte keq, sepse tashmë isha pothuajse i pushtuar nga emocionet. Mendoja pothuajse më shumë për babain tim se sa për garën. Ai donte që unë të bëhesha pilot i Formula 1 dhe të fitoja këtë garë. Ishte e bukur, me të vërtetë e veçantë, por edhe e vështirë”, shprehet Leclerc.

“Dy xhirot e fundit, kur dola nga tuneli, u përpoqa të shihja, sepse sytë më ishin turbulluar nga lotët. Kisha frikë se mos gaboja pikërisht në fund”, kujton Leclerc.



