Një rast shqetësues i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor është regjistruar në zonën turistike të Lungomares të Shqipërisë, ku një automjet është filmuar duke kryer manovra të rrezikshme mbi trafikndarësen.
Ngjarja, e bërë publike përmes një videoje në rrjetet sociale, ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Policisë Rrugore të Vlorës, e cila ka identifikuar dhe ndëshkuar drejtuesin e mjetit, shkruan AutoPortali.
Pas verifikimeve, u konstatua se drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi E. B., ka kryer një parakalim të gabuar duke kaluar mbi trafikndarëse, si dhe nuk ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës. Këto veprime kanë rrezikuar seriozisht sigurinë e përdoruesve të tjerë të rrugës, veçanërisht në një zonë të frekuentuar nga turistë dhe këmbësorë gjatë sezonit veror.
Për shkeljet e kryera, E. B. është ndëshkuar me një masë administrative prej 40 000 lekësh, në bazë të VKM nr. 153, neni 350, për shkelje të neneve 146 pika 16 dhe 139 pika 3 dhe 8 të Kodit Rrugor.




