Drejtori i ekipit Ducati, Davide Tardozzi, ka dalë në mbrojtje të Marc Marquezit, i cili është kritikuar për qëndrimin e tij lidhur me garën e MotoGP-së në Katar, të planifikuar për 6–8 nëntor.
Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, pilotët kanë shprehur shqetësime për sigurinë dhe kanë kërkuar garanci konkrete nga organizatorët. Sipas raportimeve, rreth tri të katërtat e pilotëve janë shprehur kundër udhëtimit drejt Katarit.
Tardozzi theksoi se Marquezi nuk ka refuzuar të marrë pjesë në garë, por ka kërkuar një plan evakuimi dhe masa të qarta sigurie.
“E gjithë përgjegjësia po i hidhet Marc-ut, sepse ai është ndër të paktët që flet hapur. Pilotë të tjerë kanë shprehur qëndrime edhe më të ashpra, por kanë heshtur përballë organizatorëve”, deklaroi Tardozzi.
Ai shtoi se Ducati do të udhëtojë drejt Katarit nëse garantohen kushtet e nevojshme të sigurisë.
Ndërkohë, drejtuesit e ekipeve theksojnë se vendimi përfundimtar duhet të merret në konsultim me organizatorët, duke pasur parasysh sigurinë e pilotëve dhe stafit.



