Policia e Kosovës, përmes Njësisë së Trafikut Rajonal në Prishtinë, ka shtuar kontrollet në kuadër të zbatimit të Planit “Siguria në Trafik”, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ngritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Sipas Policisë, ky plan përfshin kontrolle të vazhdueshme në të gjitha rrugët kryesore dhe dytësore të rajonit të Prishtinës, me fokus në:
Parandalimin e aksidenteve rrugore,
Edukimin e qytetarëve për kujdes dhe përgjegjësi në trafik, si dhe
Respektimin rigoroz të rregullave nga të gjithë përdoruesit e rrugës.
Statistikat për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 tregojnë për një numër të lartë të shkeljeve: 104,324 gjoba janë shqiptuar për tejkalim shpejtësie, vozitje nën ndikimin e alkoolit, mosvendosje të rripit të sigurisë, përdorim telefoni gjatë vozitjes, mungesë dokumentacioni, mungesë të helmetës nga motoçiklistët dhe shkelje të tjera, shkruan AutoPortali.
“Kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të lartë përmes planeve operative, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe uljen e rrezikut në trafik,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Autoritetet policore bëjnë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave dhe ndërgjegjësimit kolektiv për një trafik më të sigurt për të gjithë.
“Respekto rregullat – shpëto jetë”, është mesazhi që përcjell ky plan i sigurisë rrugore.




