McLaren Solus GT: Hipermakina jashtë rregullave, por me motor garash që shkruan histori
M

McLaren Solus GT: Hipermakina jashtë rregullave, por me motor garash që shkruan histori

McLaren Solus GT është një nga ato makina që i sfidon rregullat por jo në kuptimin tradicional të garave. Me një çmim që kapërcen 2.5 milionë paund dhe një prodhim të kufizuar në vetëm 25 njësi, ky model nuk është i lejuar për përdorim në rrugë, as për ndonjë kampionat zyrtar motorsporti.

I pozicionuar diku mes një skulpture të teknologjisë dhe një ëndrre të realizuar për entuziastët e pistave, Solus GT mbetet jashtë çdo gare zyrtare, por jo jashtë legjendës, shkruan TopGear, transmeton AutoPortali.

Ajo që e veçon këtë McLaren është fakti se është modeli i vetëm modern i kompanisë që ka braktisur motorin tipik V8 biturbo Ricardo, në favor të një motori më autentik e të rrallë një Judd V10 me aspirim natyral. Motori 5.2 litra, me rrënjë në garat elitare të viteve ‘90 dhe ‘2000, vjen nga një kompani me trashëgimi të thellë garash: Judd, e themeluar nga kampioni i F1 Jack Brabham dhe inxhinieri John Judd.

Ky motor nuk është vetëm nostalgji. Falë përmirësimeve të mëtejshme nga McLaren, Solus GT prodhon 829 kuaj fuqi në kushte të zakonshme, ndërsa në shpejtësi të larta (afër 200 mph), falë sistemit ram-air, fuqia rritet në 858 kuaj fuqi. Sistemi i marrjes së ajrit dhe shkarkimit janë të personalizuara, ndërsa të gjitha pjesët ndihmëse funksionojnë me ingranazhe në vend të rripave, duke reduktuar fërkimin dhe rritur efikasitetin.

Motori Judd V10 është një ikonë për garuesit privatë dhe makinat historike të F1 – i njohur për besueshmërinë, tingullin mbresëlënës dhe performancën që nuk kërkon rindërtime të shpeshta. Në Solus GT, ai gjeneron një simfoni mekanike që kujton kohët më të arta të Formulës 1 një melodi që kumbon në tunelet e pistës si një makinë klasike e Monakos.

Edhe pse jashtë çdo kategorie garash zyrtare, McLaren Solus GT mbetet një simbol i inxhinierisë ekstreme dhe dashurisë së pastër për performancën. Një hipermakinë që sfidon normat dhe i flet një audience të veçantë  atë që kërkon të zotërojë jo vetëm një makinë, por një pjesë të historisë së garave.

TË FUNDIT