Janë mbajtur dy garat e fundit në karting sllallom për kampionatin e sivjetmë, që njëherësh shënuan edhe mbylljen e vitit garues 2026.
Shumë pasion, dëshirë, adrenalinë, emocion, përkushtim e teknikë u shfaqën tek garuesit pjesëmarrës.
Në konkurrencën e meshkujve, në të dyja garat, në plasmanin gjeneral, i pari doli Rion Tytynxhiu i AK Prizreni D&G, duke u konfirmuar kampion në këtë disiplinë por edhe si e ardhmja e auto sportit kosovar.

Paraqitje shumë të mirë pati edhe Doan Karabeg, i Prishtina Racing Team, i cili në të dyja garat u rendit në pozitën e dytë.
Tytynxhiu dhe Karabeg janë dëshmi e qartë se përvoja në garat ndërkombëtare është shumë e rëndësishme.
Në garën e parë (e treta për sivjet) në pozitën e tretë u rendit Olis Fazliu i AK Prizreni D&G, ndërsa në të dytën (e katërta për 2026), kjo pozitë i takoi Loris Rexhepit të Klubit Auto Kosova Ferizaj.
Paraqitje të mire paten edhe Leonis Rexhepi (Klubi Auto Kosova Ferizaj), Blin Shala (Spirit Karting Kosova), Azad Sallahi (AK Prizreni D&G), Leka Bennett (Spirit Karting Kosova) dhe Rigon Ramadani (AK Prizreni D&G).

Në konkurrencën e femrave i patëm dy fituese të ndryshme. Në garën e parë triumfoi Rubina Krasniqi e Eurogoma Racing Team, e pasuar nga Alea Rada, Rea Bennet e Buna Mjeku, të tri të AK Prizreni D&G.

Ndërsa, në garën e dytë e para doli Alea Rada, e dyta Rubina Krasniqi, e treta Rea Bennett dhe e katërta Buna Mjeku.
Gjithsesi, katër garat e sivjetme në karting sllallom kanë dhënë sinjale të mira për të ardhmen e auto sportit tonë në të dyja konkurrencat.



