Një shtetas me patentë shoferi zvicerane është kapur duke e drejtuar automjetin me një shpejtësi prej 113 km/h në një zonë ku kufizimi maksimal i lejuar është 60 km/h, në aksin rrugor Gjilan–Kamenicë. Rasti ka ndodhur më 25 korrik, gjatë një kontrolli të rregullt nga njësitë e trafikut të Policisë Rajonale në Gjilan.
Sipas njoftimit zyrtar, shoferi i automjetit me targa ZH (Zvicër) është ndaluar menjëherë nga njësia policore dhe është gjobitur me 300 euro për tejkalim të shpejtësisë. Përveç gjobës, ndaj tij është shqiptuar edhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike në territorin e Republikës së Kosovës për një periudhë tre (3) mujore, shkruan AutoPortali.
Policia ka bërë të ditur se, në përputhje me marrëveshjen bilaterale mes Kosovës dhe Zvicrës, rasti do t’u përcillet autoriteve zvicerane për njoftim dhe veprim të mëtejmë, sipas ligjeve të vendit të tyre.




