“Gjithçka tjetër, pos dialogut diplomatik dhe politik dhe zgjidhjeve përmes aktiviteteve të këtij lloji na çojnë drejt asaj që nuk do të donim të shihnim”, tha Vuçeviq më 1 shkurt gjatë një prononcimi për Radio Televizionin e Serbisë.
Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore për operacione me para të gatshme, që parasheh përdorimin vetëm të euros për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb, që përdoret nga serbët lokalë në Kosovë për pagesa, por ata marrin edhe pensione dhe shtesa nga buxheti i Serbisë në dinarë.
Vuçeviq vlerësoi se ky vendim “është një sulm ndaj sigurisë ekonomike” të serbëve në Kosovë dhe se sipas tij, po krijohen “kushte të pamundshme” për mbijetesën e tyre.
Ai po ashtu tha se Serbia mbetet e përkushtuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovës, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
“Është interesi ynë kombëtar për të ruajtur paqen”, tha Vuçeviq, i cili po ashtu theksoi se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi nuk ka të bëjë me “problemet në Kosovë”.
Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.
Ekzekutivi kosovar tha se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.
Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.
Më 31 janar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.
Nga Banka Kombëtare Serbisë, Ministria e Financave dhe Qeveria e Serbisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse janë planifikuar bisedime me Bankën Qendrore të Kosovës për këtë çështje dhe se cilat do të jenë hapat e radhës.
Paraprakisht, komuniteti ndërkombëtar i kishte bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së.