Joan Mir u shpreh se është krenar që arriti të kalojë Ducatin e Fermin Aldeguer falë përmirësimeve të motorit të Hondës gjatë Çmimit të Madh të Malajzisë në MotoGP.
Piloti i HRC-së përfundoi i treti, duke siguruar podiumin e dytë në katër garat e fundit. Ai arriti shpejtësi deri në 333.3 km/h, një tregues i qartë i përmirësimit të madh të Hondës, e cila deri vonë vuante mungesën e fuqisë në vijë të drejtë.
“Ne nuk kemi motor të ri, por më parë vetëm ëndërronim të ndiqnim Ducatit. Tani mund ta kalojmë në vijë të drejtë, dhe kjo më bën krenar”, tha Mir.
Pas përditësimeve të prezantuara pas pushimit veror, Honda është dukshëm më konkurruese. Mir pranoi se ekipi ende ka probleme me kapjen e gomave, por theksoi se progresi që nga viti 2023 ka qenë i madh: “Kjo është fryt i punës afatgjatë me inxhinierët. Tani duhet të shijojmë momentin”.




