Rregullat e reja teknike në Formula 1 kanë ndryshuar ndjeshëm mënyrën e drejtimit dhe sjelljen e makinave, duke e vënë theksin te menaxhimi i energjisë dhe fuqisë elektrike. Kjo ndikon edhe te parakalimet, sidomos për shkak të fenomenit “super clipping”, kur fuqia bie në fund të drejtëzës për të karikuar baterinë.
Kjo ka sjellë kritika se parakalimet janë bërë shumë të lehta kur një pilot ka energji të plotë, ndërsa tjetri jo. Megjithatë, ish-piloti Juan Pablo Montoya nuk pajtohet me këtë mendim.
“Parakalimi mbetet një art”, thotë Montoya, duke theksuar se piloti duhet të përgatisë mirë manovrën, ta realizojë dhe më pas të mbrojë pozicionin.
Pas garës në Australi u diskutua për ndryshime të shpejta të rregullave, por pas përmirësimeve në Shangai, FIA vendosi t’i shtyjë vendimet, duke lënë sportin në pasiguri.
Montoya shton se edhe më parë, me DRS, parakalimet varen nga një buton, ndaj nuk sheh ndryshim të madh: “Edhe sot pilotët thjesht përdorin energji shtesë për të sulmuar, nuk shoh ku është problemi”.



