Banka Qendrore e Kosovës, ka organizuar sot takimin e Forumit të Rithemelimit të Këshillit Kombëtar të Pagesave, ku i ftuar ishte edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Në forum u fol edhe mundësia e digjitalizimit të pagesave, të cilën Ministri Murati e cilësoi si pozitive, shkruan lajmi.net, transmeton Autoportali.
Ai tha se digjitalizimi ka shumë përparësi, duke theksuar se do të eliminohej çështja e qarkullimit të parave false, e cila është aktuale në vend.
Gjithashtu do të eliminohej edhe shpëlarja e parave dhe financimi i aktiviteteve ilegale.
“Digjitalizimi si i tillë ka shumë përparësi dhe shumë përfitime. E para do të thosha që sa i përket aspektit ekonomik e zvogëlon barrën administrative, e dyta pastaj e zvogëlon edhe koston e operimit dhe e treta i jep një dozë të integriteti çdo transaksioni duke qenë se është e sigurti që po bëhet këmbim apo transaksioni me para të vërteta dhe eliminohet kjo çështja e parave false dhe të manipuluara dhe në anën tjetër e parandalon edhe financimin e aktiviteteve ilegale apo edhe shpëlarjen e parave dhe ekonominë informale”, tha Murati.
Ai shtoi se ky sistem do të bëhej me kosto të arsyeshme dhe do t’u ofrojë konsumatorëve qasje më të lehtë në shërbime.
“Një sistem i shëndoshë dhe efikas i pagesave mbështetë zhvillimin e mëtejshëm të ndërmjetësimit financiar dhe rritjen e stabilitetit financiar duke krijuar kështu një klimë në të cilën investitorët mund të zgjerojnë bizneset e tyre. Një sistem i zhvilluar financiar i pagesave ku pagesat realizohen me kosto të arsyeshme dhe me efikasitet në kohë e bëjnë tregtinë më të lirë dhe mundësojnë që bizneset konkurruese të rriten dhe t’u ofrojnë konsumatorëve qasje më të lehtë në mallra dhe shërbime. Njëkohësisht, një sistem i zhvilluar i Pagesave siguron mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe të valutës euro, zvogëlimin e efekteve negative nga dukuria e falsifikimit të parave, mbrojtjen e konsumatorit dhe avancimin e praktikave të tregut, zvogëlimin e efekteve nga aktivitetet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, qasjen e shtuar në shërbimet financiare dhe gjithëpërfshirjen financiare”, tha Ismaili./Lajmi.net/