Piloti i Formula 1, Liam Lawson, ka zbuluar se gjatë Çmimit të Madh të Meksikës ishte shumë pranë një incidenti fatal, kur dy roje sigurie dolën me vrap në pistë, pak metra para makinës së tij.
Situata e rrezikshme ndodhi në xhiron e tretë të garës, ndërsa piloti i Racing Bulls po kthehej në pistë pas një ndalese të hershme në bokse për të ndërruar krahun e përparmë.
“A po bëni shaka? E patë këtë? Mund t’i kisha vrarë!”, bërtiti Lawson përmes radios së ekipit gjatë garës.
Pas garës, piloti nga Zelanda e Re tha se ishte i tronditur nga ajo që kishte parë.
“Sinqerisht, nuk mund ta besoja. Dola nga bokset me goma të reja të forta, arrita në kthesën e parë dhe pashë dy persona që po vraponin nëpër pistë. Pothuajse përplasa njërin prej tyre, ishte tepër e rrezikshme,” tha Lawson.
Ai shtoi se nuk kishte parë kurrë një situatë të tillë më parë në Formula 1.
“Duket qartë se ka pasur një keqkuptim, por kjo është e papranueshme. Nuk e kuptoj si mund të dalin rojet në pistë ndërkohë që gara është në zhvillim. Jam i sigurt që do të marrim një shpjegim, por diçka e tillë nuk duhet të ndodhë më”, përfundoi ai.

FIA hap hetim
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) menjëherë ka nisur një hetim mbi incidentin. Në një deklaratë, ata thanë se rojet ishin “në gatishmëri” për shkak të mbetjeve në kthesën e parë.
“Në xhiron e tretë, rojet u paralajmëruan dhe ishin gati të hynin në pistë për të hequr copat e mbetjeve, pasi të kalonin të gjitha makinat. Kur u bë e qartë se Lawson kishte hyrë në bokse, urdhri u tërhoq, dhe në atë sektor u shfaqën flamuj të verdhë të dyfishtë,” thuhet në deklaratën e FIA-s.
“Ende po hetojmë se çfarë ndodhi pas atij momenti”.
Incidenti ka shkaktuar reagime të shumta në komunitetin e F1, pasi siguria e rojeve dhe e pilotëve është një nga prioritetet kryesore të sportit.




