Vetëm pse dikush udhëton në “economy” nuk do të thotë se nuk mund të jetë rehat. Nicole Lazo, një udhëtare e rregullt që ka vizituar 36 vende dhe shpesh fluturon me bashkëshortin dhe djalin e saj 15-vjeçar, ka mësuar me kohë se si të flejë gjatë fluturimeve, çfarë të veshë në udhëtime të gjata dhe si të vendosë telefonin për të parë filma ose seriale pa e mbajtur në dorë.
Ajo nuk e sheh veten si një “influencuese udhëtimesh”, por si dikush që di shumë për udhëtimet, thjesht sepse i bën shpesh. Një nga truket që ka ndarë në rrjetet sociale është përdorimi i një kapeleje bejsbolli si mbajtëse telefoni, shkruan NyPost, transmeton AutoPortali.

Mjafton të varësh pjesën e pasme të kapeles te kapësja e tavolinës së sediljes dhe të vendosësh telefonin brenda saj një zgjidhje praktike, veçanërisht kur telefoni nuk ka mbajtëse ose avioni nuk ofron një të tillë.
Sipas saj, gjumi gjatë një fluturimi të gjatë mund të ndikojë drejtpërdrejt në ditët e para të udhëtimit. Për fluturime më të gjata se shtatë orë ose gjatë natës, ajo këshillon të bëhet gjithçka e mundur për të fjetur mirë.
Së pari, një jastëk udhëtimi është i domosdoshëm Lazo preferon modelin që lidhet me mbështetësen e kokës dhe mban kokën drejt, së bashku me një maskë për sytë, ndërsa bashkëshorti i saj vazhdon të zgjedhë jastëkun klasik në formë U-je.
Maska për sytë, sipas saj, është e pazëvendësueshme, pasi gjatë fluturimit dritat hapen e mbyllen shpesh. Ajo rekomandon edhe tapën për veshët, për të shmangur zhurmat e pasagjerëve ose të fëmijëve që qajnë.
Një tjetër këshillë ka të bëjë me temperaturën në avion. “Avionët mund të kthehen në një frigorifer”, thotë ajo, duke shtuar se batanijet e linjave ajrore zakonisht nuk janë mjaftueshëm të ngrohta, ndaj gjithmonë mban të sajën.
Përsa i përket veshjeve, Lazo zgjedh pantallona të buta sportive, një kanotiere të hollë dhe një xhaketë me zinxhir dhe xhepa me zinxhir. Telefonin ose gjërat me vlerë i mban gjithmonë në xhep me zinxhir për siguri, nëse nuk dëshiron t’i lërë në bagazh ose në xhepin e sediljes. /AutoPortali



