Mbi 377.7 milionë euro është shuma e të ardhurave të cilat shteti i mblodhi nëpërmjet taksave mjedisore. Të ardhurat nga ky lloj takse paraqesin tendencë të rritjes.“Në vitin 2024, të ardhurat nga taksat mjedisore arritën në vlerën 377 milionë e 704 mijë e 690 euro, krahasuar me vitin 2023 ka pasur rritje prej 11.0 %”- thuhet në raportin e ASK-së.
Sipas ASK-së, gjatë dy viteve janë vërejtur ndryshime të konsiderueshme në të ardhurat sipas kategorive të taksave mjedisore: Të ardhurat nga taksat mbi energjinë në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, u rritën me 9.2%; të ardhurat nga taksat mbi transportin në vitin 2024 shënuan një rritje prej 21.7% në krahasim me vitin 2023; ndërsa te ardhurat nga taksat mbi ndotjen në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, u rritën ndjeshëm me 79.3%, shkruan Kallxo.com.

Në bazë të strukturës së të ardhurave, ASK thotë se nga gjithsej taksat mjedisore për vitin 2024, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave me 326,128,686 euro, ose 86.4 %, pasuar nga taksat e transportit me 49,245,440 euro, ose 13.0 %, taksat e ndotjes me 2,330,440, ose 0.6%.
Çka nënkuptojmë me taksë?Taksa është një detyrim financiar që personat fizikë apo juridik janë të detyruar t’i paguajnë shtetit.
Ndërsa taksa mjedisore është një taksë mbi bazën tatimore, që ka një ndikim specifik negativ në mjedis. Baza e taksave shihej si e vetmja bazë objektive për identifikimin e taksave mjedisore për qëllime të krahasimeve ndërkombëtare. /AutoPortali



