Pas më shumë se 18 vitesh dominim në botën e supermakinave, Nissan ka ndalur përfundimisht prodhimin e modelit të famshëm GT-R R35. Automjeti i fundit ka dalë nga linja e montimit në fabrikën Tochigi, afër Tokios, duke shënuar fundin e një prej kapitujve më të rëndësishëm në historinë e markës japoneze.
Modeli i fundit është një GT-R Premium T-spec, me ngjyrë vjollcë mesnate dhe rrota të arta një kombinim i rrallë që i bën nder një serie që ka mahnitur entuziastët për gati dy dekada. Kjo njësi e fundit do t’i dorëzohet një klienti në Japoni, duke garantuar që makina të vazhdojë të ecë, e jo të përfundojë në ndonjë muze, shkruan Topgear, transmeton AutoPortali.

“Pas 18 vitesh të jashtëzakonshme, R35 GT-R ka lënë një gjurmë të qëndrueshme në historinë e automobilave,” deklaroi Ivan Espinosa, drejtori i Nissan për zhvillimin global. “Trashëgimia e saj është një dëshmi e pasionit të ekipit tonë dhe besnikërisë së klientëve tanë në të gjithë botën.”
Që nga debutimi në vitin 2007, janë ndërtuar afërsisht 48,000 njësi të R35, të gjitha të pajisura me motorin ikonë VR38DETT twin-turbo V6, i cili montohej me dorë nga vetëm nëntë mjeshtër të certifikuar të Nissan.

Megjithëse R35 ka përfunduar ciklin e tij, Nissan ka konfirmuar se emri GT-R nuk do të zhduket. Espinosa theksoi se “kjo nuk është një lamtumirë përgjithmonë. Ne e kuptojmë që logoja GT-R është e rezervuar për diçka vërtet të veçantë – dhe ajo do të rikthehet në të ardhmen.”
Detajet për pasardhësin e mundshëm GT-R R36 nuk janë bërë ende publike, por pritshmëritë janë të larta. Deri atëherë, fundi i R35 përfaqëson mbylljen e një epoke që ka lënë gjurmë të thella në industrinë e automobilave sportivë.



