Norris e Piastri flasin për kontaktin që e patën në Singapor
N

Norris e Piastri flasin për kontaktin që e patën në Singapor

George Rusell regjistroi në Singapor fitoren e tij të dytë sezonale, pas triumfit në Kanada dhe të pestën në karrierë. I nisur nga “pole position”, piloti britanik i Mercedesit nuk u dha asnjë shans kundërshtarëve, duke filluar nga Max Verstappen, i cili startoi në krahun e jashtëm të vijës së parë.

I renditur i treti në Singapor, Lando Norris pas garës së djeshme u shpreh: “Nuk ishte edhe aq keq në një garë të vështirë. Në fillim pista ishte ende pak lagësht, patëm një kontakt të vogël me Piastrin, por asgjë serioze, ishte duel i bukur. Kishte shumë hapësirë nga brenda dhe provova aty, por pastaj Verstappen e mbylli linjën dhe unë u detyrova të zgjeroja nga e djathta”, ka thënë Norris.

“Në fund isha i përqendruar të mos bëja gabime dhe as Max nuk bëri. E provova, arrita edhe ta kaloj për pak, por rreziku ishte shumë i madh. Do të më pëlqente ta vija Rusellin nën presion, por jam i kënaqur me titullin e konstruktorëve për ne si McLaren”, deklaroi Norris.

Ndërkohë lideri i kampionatit, Oscar Piastri tha: “Gara ishte e vështirë, xhiroja e parë sidomos. Do të duhet t’i rishikoj mirë pamjet. Nuk besoj se Norris kërkoi kontaktin, por ndodhi gjithsesi. Tani është koha të festojmë titullin e konstruktorëve, është rezultat i një pune të madhe në ekip”, deklaroi australiani i McLaren.

 

TË FUNDIT