Ashtu si katër vjet më parë, kur gjithçka u vendos në garën e fundit, që solli një kampion të ri bote në Formula 1, edhe ky sezon solli të njëjtën gjë. Gjithçka u vendos në garën e fundit, me britanikun Lando Norris që zbriti nga froni holandezin Max Verstappen.
Asokohe, Verstappen i merrte titullin Lewis Hamiltonit, ndërsa këtë vit holandezi i la vendin pilotit të McLaren. Britaniku është kampioni i 35-të i botës në historinë e Formula 1, në një Botëror ku vuajti shumë edhe për të mundur shokun e tij të skuadrës Oscar Piastri.
Por, ajo që bëri më shumë përshtypje është rikuperimi që Verstappen bëri ndaj dy pilotëve të McLaren. Holandezi rikuperoi një disavantazh prej 104 pikësh që kishte në verë, duke shpresuar deri në momentin e fundit në mbrojtjen e titullit. Gjë që vjet Norris nuk arriti ta bëjë.
“Vitin e kaluar u zhgënjeva që përfundova i dyti. Të gjithë pilotët duan të fitojnë dhe kjo është arsyeja pse, edhe pas garës zhgënjyese në Zandvoort, unë kurrë nuk u dorëzova“, tha Norris në një deklaratë për mediat britanike.

“Sigurisht që nuk isha aq shpresëplotë se kishte ende një shans, por mendoj se nëse ai provoi diçka këtë vit, nuk kishte të bënte aq shumë me mua. Ishte e pabesueshme të shihja Max të rikuperonte 100 pikë dhe të arrinte aty ku arriti në fund”, shtoi Norrius.
“Max e meriton këtë respekt, ai tashmë e kishte atë sepse është një kampion bote i shumëfishtë që ka arritur gjithçka që mund të arrihet dhe ndoshta më shumë. Megjithatë, mbyllja e kësaj diference i jep atij edhe më shumë merita“, deklaroi Norris.



